Zbulohet si nisi sherri me armë që i mori jetën 19-vjeçarit – autori moshatar i tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në zonën e Vushtrrisë, ku një i ri 19-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:35 në rrugën “Galip Badivuku”, konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti.

Sipas informacioneve të para është bërë e ditur se viktima është 19-vjeçari Ardit Zymeri.

Ardit Zymeri

Burime policore bëjnë të ditur se policia tashmë ka arrestuar të dyshuarin për këtë ngjarje. Ai është Bleon Dibrani, një djalë 18 vjeçar.

Bleon Dibrani

Personit të arrestuar i është konfiskuar një armë pistoletë, si dhe një armë e gjatë në shtëpi.

Mediat e Kosovës raportojnë se ngjarja dyshohet të ketë lidhje me një incident të mëparshëm që kishte ndodhur disa ditë më parë në një nga shkollat e mesme të Vushtrrisë për motive të dobëta.

Çfarë tha policia pas arrestimit

Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin Bleon Dibrani, 19 vjeçar nga i cili është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale.

Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishekë. Me aktvendin të porokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë”.

Çfarë tha policia pas ngjarjes

“Sonte, rreth orës 20:35 policia ka pranuar informatën për të shtëna nga arma e zjarrit. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë një viktimë mashkull, kosovar, rreth 19 vjeç,” tha Zaiti.

Njësitet përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe u vunë në kërkim të autorit të dyshuar duke e vënë në pranga.

Familjarët dhe qytetarët e Vushtrrisë janë tronditur nga ngjarja, ndërsa komuniteti lokal kërkon drejtësi për humbjen e jetës së të riut.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në orët në vijim. /Noa.al