Eduart Grishaj ishte i ftuar në “Inspire Podclass” me Alketa Vejsiun për të folur rreth filmit “Pasaporta” që vazhdon të korrë sukses, projektit të përbashkët me Arbana Osmanin, “Mirëmbrëma yje” dhe një kapitulli që për momentin e kanë mbyllur, “Big Brother”.
Ndalur te ky i fundit, regjisori u pyet nëse i mungon një format i tillë dhe përgjigjja është e qartë: momentalisht është shumë mirë pa një format që “të shtrydh”.
“Big Brother për momentin nuk më mungon. Nuk ka format që të konsumon më shumë se Big Brother, që të shtrydh, që të merr gjithë kohën, që të merr jetën, që të largon nga fëmijët, që të fut vetëm te bota e një shtëpie, është vetëm Big Brother dhe duhet patjetër që të marrësh frymë, të kesh një shkëputje për t’u rikthyer sepse është shumë i vështirë si emision.”
Grishaj thotë se ofertat financiare s’kanë munguar, por të dy kanë vendosur ta bëjnë pushim.
Ne i kemi pasur edhe ofertat financiare shumë të mira, kemi pasur mundësitë për ta bërë përsëri Big Brother por zgjodhëm për të bërë pushim.
Përpara nisjes së BBVK, u përfol se çifti do të kishte timonin, diçka që ai s’e mohon dhe rikonfirmon deklaratat e mëparshme të Arbanës.
Po patjetër, kemi pasur oferta, por si një shkak kryesor i mosdakordësisë ka qenë ana familjare sepse Kosova nuk është siç është Tirana. Ka qenë edhe pjesa e fëmijëve sepse ne i kishim fëmijët shumë të vegjël dhe ata normalisht që duan kohën dhe përkushtimin e tyre kështu që mbase një nga arsyet kryesore ka qenë edhe kjo.