Spektakli i Big Brother VIP Albania mund të rezervojë një tjetër surprizë për publikun, pasi ka nisur të përflitet për një rikthim të mundshëm të Redon Beranit në shtëpi.
Ish-banori, i cili u largua me dëshirë nga programi së bashku me nënën e tij, Gili, në ditët e para të reality show-t për shkak të presionit të madh të lojës, ka ngritur dyshime për një rikthim të mundshëm.
Redoni së fundmi ka ndarë një pjesë nga projekti i tij i ri muzikor, i cili është një remake i këngës së njohur të Ermal Fejzullahut, “Gocë nga Tirana”, ku një pjesë e tekstit thotë: “Të dua, gocë nga Tirana”.
Dyshimet janë shtuar edhe më shumë pas zarfit të fundit të lexuar nga Gjesti brenda shtëpisë, ku thuhej se ai duhet të përmendë emrat e 7 ish-banorëve, ndërsa 3 prej tyre do të rikthehen në spektakël përmes televotimit.
Një pjesë e madhe e publikut beson se Redoni mund të jetë një nga tre ish-banorët që do të kthehen, duke marrë parasysh raportin e tij të afërt me Egli Takon, si dhe përplasjet e kësaj të fundit me Gjestin.
A do ta shohim Redonin sërish në Big Brother VIP? Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen ngjarjet dhe si do të reagojë publiku në televotim!