Në një bisedë të sinqertë me Loredanën, këngëtarja dhe banorja e Big Brother VIP Albania, Rozana Radi, ka ndarë një moment shumë të ndjeshëm nga jeta e saj personale, duke zbuluar sakrificat dhe sfidat me të cilat është përballur në përpjekjet për të pasur një fëmijë.
Rozana tregoi se para hyrjes në spektakël, kishte më shumë se një muaj që nuk ishtë takuar me partnerin e saj, pasi kishte marrë një vendim të vështirë: ta linte të lirë, në mënyrë që ai të kishte mundësinë të shikonte opsione të tjera dhe, pse jo, të njihte dikë tjetër.
“Nuk dua të jem egoiste,” u shpreh ajo, duke theksuar se nuk dëshiron që një ditë të ndjejë fajin që partneri i saj nuk mund të ketë një trashëgimtar.
Ajo rrëfeu se kjo ndarje e përkohshme kishte ardhur si rezultat i një lufte të gjatë dhe të lodhshme për të pasur një fëmijë, një proces që për të ka qenë emocionalisht dhe fizikisht i vështirë.
Trajtimet për fertilitet dhe gjilpërat hormonale të cilave iu është nënshtruar kanë pasur ndikim të madh në shëndetin dhe trupin e saj, duke sjellë edhe shtim në peshë si efekt anësor.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të saj të vazhdueshme, rezultatet e shumëpritura ende nuk kanë ardhur, duke e bërë këtë periudhë tepër të dhimbshme për të.