Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kujtojmë një nga imazhet më prekëse të luftës së vitit 1999: fotografinë e Xaje Mustafës, një babai nga Mitrovica, i cili, i dëbuar nga forcat serbe dhe i ndarë nga familja, mbante në duar dy fotografi të fëmijëve të tij, duke treguar dhimbjen dhe frikën për fatin e tyre.
Gjatë eksodit masiv drejt Shqipërisë, Mustafa u arrestua dhe u ndalua në burgjet serbe, duke u ndarë nga gruaja dhe fëmijët e tij.
Në një intervistë për “Info Nata”, ai rrëfen se fotografia u realizua gjatë kalimit të kufirit me Shqipërinë, kur forcat serbe po i dëbonin. Asokohe, ai kishte marrë lajmin se fëmijët e tij kishin vdekur.
“Këto dy foto të fëmijëve më kanë qëlluar në kuletë… kur shkuam te kufiri, aty ushtria serbe filluan të na kontrollonin… çdo dokument që kishim na gjuajtën në shport dhe fotografitë e fëmijëve,” kujton ai.
Pas përfundimit të luftës, Mustafa arriti të ribashkohej me fëmijët e tij përmes ndihmës së Kryqit të Kuq. Kjo fotografi u bë simbol i vuajtjeve të popullit kosovar dhe preku zemrat e njerëzve në mbarë botën, duke shërbyer si një kujtesë e fuqishme e çmimit të lirisë dhe sakrificave të bëra për të arritur atë.
Sot, ndërsa festojmë Pavarësinë e Kosovës, kujtojmë historinë e Xaje Mustafës dhe mijëra familjeve të tjera që përjetuan dhimbje të ngjashme, duke nderuar qëndresën dhe forcën e tyre në përballimin e sfidave të asaj kohe.