Nutricionistja Tea Brame ka folur mbi ndikimin e ushqimit tek ankthi dhe depresioni, duke theksuar se disa produkte mund ta përkeqësojnë këtë gjendje emocionale.
Një nga faktorët kryesorë është uria emocionale, e cila shpesh na shtyn drejt konsumimit të ushqimeve të pashëndetshme që dëmtojnë ekuilibrin hormonal dhe rrisin nivelet e stresit.
Sipas Brames, ndër ushqimet që ndikojnë negativisht tek ankthi janë ato që përmbajnë yndyrna të ngopura, kryesisht ushqimet e skuqura dhe fast food-et. Këto yndyrna dëmtojnë balancën hormonale të trupit, duke rritur nivelin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili lidhet ngushtë me ndjenjat e ankthit dhe depresionit.
Një tjetër faktor që përkeqëson ankthin është kafeina, veçanërisht kur konsumohet në mëngjes me stomakun bosh. Trupi, sapo zgjohemi, ka natyrshëm nivele të larta të kortizolit për të na ndihmuar të aktivizohemi. Kur shtojmë kafeinën në këtë moment, ajo dyfishon nivelin e këtij hormoni, duke futur trupin në një gjendje të ngjashme me atë të një situate stresuese.
Adrenalina, e cila prodhohet në raste rreziku apo aktiviteti intensiv, rritet ndjeshëm kur konsumojmë shumë kafeinë. Megjithatë, në jetën e përditshme, ku zakonisht nuk përballemi me situata ekstreme, kjo adrenalinë e tepërt mbetet e pa përdorur në trup dhe shkakton simptoma si dridhje, rrahje të shpejta të zemrës dhe ndjenja të vazhdueshme të shqetësimit.
Një tjetër efekt negativ i konsumit të lartë të kafeinës është pagjumësia, e cila, nga ana tjetër, përkeqëson edhe më shumë ankthin. Kur trupi nuk pushon mjaftueshëm gjatë natës, ai prodhon më shumë kortizol, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm të stresit dhe shqetësimit.
Si të kufizoni ankthin përmes ushqimit?
Për të shmangur rritjen e ankthit, është e rëndësishme të kufizoni konsumimin e ushqimeve të përpunuara, të skuqura dhe të pasura me yndyrna të ngopura. Gjithashtu, në vend që të pini kafe me stomakun bosh, mund ta shoqëroni atë me ushqime të pasura me proteina ose fibra, të cilat ndihmojnë në stabilizimin e niveleve të energjisë dhe stresit gjatë ditës.
Duke bërë zgjedhje më të shëndetshme në dietën tuaj, mund të ndihmoni në reduktimin e simptomave të ankthit dhe të përmirësoni mirëqenien tuaj mendore dhe fizike.