Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjirokastrën pasditen e djeshme, kur një 17-vjeçare u gjet e vetëvarur në banesën e saj.
Familjarët e zbuluan aktin tragjik disa orë më vonë, ndërsa ishte i ati ai që e konstatoi dhe njoftoi urgjencën.
Mjekët konstatuan se adoleshentja kishte ndërruar jetë, duke lënë pas një letër rrëqethëse që ka thelluar edhe më shumë tronditjen e familjes dhe komunitetit.
Letra që flet për bullizmin
Në sendet personale të vajzës, familjarët gjetën një letër të shkruar në anglisht, pa datë, në të cilën ajo rrëfente dhimbjen dhe izolimin që ndiente për shkak të bullizmit. “Pse më bullizojnë mua?” – shkruante e ndjera, duke dhënë një sinjal të qartë se ndjehej e përjashtuar dhe e sulmuar nga bashkëmoshatarët.
“O Zot, perse po vuaj keshtu valle? Une jam kjo qe jam, dhe miqte dhe shoket kerkoj te me respektojne. Por ata tallen me mua. Une ndihem kaq e vetmuar dhe e mbytur ne vetmine time. Nuk me vjen turp per veshjen time. Kaq mundesi kane prinderit e mij, babi im qe kujdeset aq shume per mua aq sa dhe mami.
Po perse u dashkam te jem kaq e veçuar? Ku te ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ja hap zemren time? Tek askush nuk kam besim. Madje as tek psikologia ndonese jam hapur”.
Lëvizjet e fundit të vajzës
Sipas burimeve nga hetimet, para se të kryente veprimin tragjik, 17-vjeçarja ishte larguar nga shkolla tre herë gjatë ditës, duke u kthyer në banesë, por çdo herë aty ndodhej i ati. Vetëm pasi gjeti një moment kur ishte e vetme në shtëpi, ajo vendosi t’i japë fund jetës.
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat që mund ta kenë shtyrë të renë drejt vetëvrasjes.