Disa prindër marrin frymëzim për vendosjen e emrave të foshnjave të tyre nga burime si: historia e familjes, gjeografia ose madje ushqimet dhe markat e preferuara.
Të tjerë u referohen letërsisë, muzikës dhe kulturës popullore. Ndërsa disa të tjerë marrin ide nga një burim më i habitshëm: armët!
“Ka një trend të vogël, por të dukshëm, të prindërve që përdorin emra të frymëzuar nga armët – dhe, më gjerë, emra agresivë për djemtë e tyre,” tha Sophie Kihm, kryeredaktore amerikane në faqen e internetit “Nameberry”.
“Shumë nga këta emra u shfaqën për herë të parë në listat e emrave të foshnjave në vitet 2000, duke përfshirë ‘Wesson’ (markë pistolete), ‘Caliber’ (njësi matëse e diametrit të një fisheku), ‘Shooter’ (lloj arme ose e përkthyer ‘Gjuajtës’) dhe ‘Trigger’ (e përshtatur ‘Shkrepës’)”.
Emrat e frymëzuar nga armët që prindërit kanë zgjedhur vitet e fundit (në SHBA) përfshijnë gjithashtu Blade (‘Teh’ thike) dhe Cannon (‘Top’ gjyleje), si dhe emra të lidhur me marka armësh si Remington, Colt, Ruger dhe Winchester.
Arson (akti kriminal i të vendosurit qëllimisht shtëpinë në zjarr), Cutter (‘Grirës’ ose ‘Thikë prerëse’) dhe Dagger (Thikë e vogël prerëse) janë disa nga emrat e tjerë me një nuancë dhune në të dhënat më të fundit nga Administrata e Sigurimeve Shoqërore të SHBA-së.
Abby Sandel, krijuesja e blogut për emrat e foshnjave, “Appellation Mountain”, beson se kjo prirje do të rritet dhe zhvillohet me kalimin e kohës.
“Vala e parë e emrave të huazuar nga prodhuesit e armëve ndoshta e ka kaluar pikun, por akoma po dëgjojmë shumë mundësi të reja për këtë kategori emrash,” tha ajo.
Pse prindërit tërhiqen nga këto lloj emrash?
Sipas ekspertëve, faktorë të ndryshëm po e shtyjnë këtë prirje të vendosjes së emrave të foshnjave.
“Ka një grup prindërish që besojnë se emrat e frymëzuar nga armët kanë një shpirt rebel, që ka qenë një temë në rritje mes emrave të përdorur për foshnjat e sotme,” tha Kihm.
“’Maverick’ (njeri i pavarur ose rebel) renditet më lart se kurrë dhe emrat në stilin e kaubojëve si Dutton (ndjesi force dhe autoriteti), Stetson (imazh besueshmërie dhe qëndrueshmërie) dhe Boone (personazh që simbolizon aventurën, guximin) po ngjiten nëpër lista.”
Kështu, shumë prindër mund të mendojnë për emrat e armëve në të njëjtën mënyrë si për ato të lidhura me kaubojët.
Për disa prindër, tërheqja ndaj këtyre emrave mund të lidhet gjithashtu me vlera konservatore në lidhje me gjininë ose armët.
Krijuesja e “BabyNames.com”, Jennifer Moss, beson se disa prindër tërhiqen nga emrat e armëve për djemtë e tyre sepse ndihen “të kërcënuar” nga ndryshimet kulturore të kohëve të fundit drejt pranimit më të gjerë të identiteteve dhe shprehjeve të gjinisë jashtë binarit tradicional të gjinisë.
“Dhënia e këtyre emrave tepër të dhunshëm mund të jetë një reagim ndaj frikës që djali i tyre mund të ketë tipare që nuk janë shumë mashkullore,” tha ajo. “Kështu, këta prindër japin një emër që është një fjalë fjalori që është tradicionalisht e lidhur me agresionin ose forcën, duke shpresuar të kalojnë këto karakteristika në pasardhësit e tyre meshkuj.”
“Emrat e frymëzuar nga armët shprehin mashkullorësinë pa qenë emra tradicionalë mashkullorë,” shtoi Kihm. “Ata janë njëkohësisht paevitueshmërisht mashkullorë dhe jashtëzakonisht modernë. Ne i lidhim armët me burrat dhe mashkullorësinë, kështu që këta prindër mund të kenë vlera më konservatore në lidhje me gjininë.”
Çfarë mendojnë ekspertët e emrave të foshnjave për këtë trend?
“Është e rrallë që të refuzoj krejtësisht një emër ose një trend emrash, por nuk mund të mbështes emrat e frymëzuar nga armët,” tha Kihm. “Ata i thurin lavde dhunës dhe, sidomos pas gjithë dhunës në SHBA, ndihen jashtë konteksit. Në këshillimin për emra, nuk kam hasur kurrë një prind që dëshiron të përdorë këto emra, por do t’i këshilloja çdo klienti që të shmangë përdorimin e tyre.”
“Unë e shikoj përdorimin e emrave të armëve veçanërisht shqetësues sepse po i lidhni fëmijën tuaj me një instrument shkatërrimi ose vdekjeje — ose të paktën një fjalë që është e lidhur me dhunën,” tha Moss. “Një arsye tjetër për të mos përdorur një emër me një kuptim menjëherë të identifikueshëm është se mund të kthehet në objekt talljeje. Reagimi i parë i njerëzve mund të jetë të qeshin me të, ose të mendojnë se ju i përkisni një kulture të caktuar që favorizon armët ose dhunën. Kjo vjen me disa pasoja.”
Megjithatë, jo çdo emër i lidhur me armët ka të njëjtin kuptim ose peshë.
Sa më shumë kreativitet të dëshironi të keni me emrat e fëmijëve tuaj, është e rëndësishme të mbani mend se prindërit po emërojnë të ardhmen e të rriturve.
“Ne rekomandojmë që kur të zgjidhni emrat e foshnjave, të kontrolloni frikërat dhe paragjykimet tuaja personale para se t’i projektoni ato në emrin e foshnjës suaj,” tha Moss.
“Siç e kuptojnë shumica e prindërve, pritshmëritë tona për fëmijën tonë nuk përputhen domosdoshmërisht me identitetin e veçantë të fëmijës. Jepni fëmijës tuaj një emër që ngjall pozitivitet, që do të rritet me të dhe që mund ta bëjë të vetin, në vend që të përshtatet me pritshmëritë tuaja.”
Burimi: HuffPost