“Big Brother VIP” ka sjellë sërish në qendër të vëmendjes tema të ndjeshme dhe debate të ashpra, këtë herë mes Rozana Radit dhe Gerta Gixharit.
Një shkëmbim i fortë fjalësh mes tyre ka ngritur pyetje mbi kufijtë e etikës dhe ndjeshmërinë që duhen treguar në situata personale.
Në një lidhje telefonike për “Fan Club,” Andeta Radi, motra e Rozanës, reagoi fuqishëm ndaj situatës, duke shprehur zhgënjimin e saj për mënyrën si u trajtua çështja. Ajo kritikoi shprehjen e Gertës: “Unë kam atë që s’e ke ti,” duke theksuar se kjo deklaratë preku një plagë të thellë të motrës së saj, që ka vite që përballet me sfida për t’u bërë nënë.
“Historia e Rozit është disa vjeçare, por nuk dua ta tregoj këtu se do thoni viktimizohet familjarisht. Kjo çështje u hap në mënyrën më të keqe të mundshme dhe u diskutua në një mënyrë që nuk do të doja,” u shpreh Andeta.
Debati u intensifikua më tej gjatë diskutimit me opinionistin Ronaldo Sharka dhe ish-banoren Amber Candy. Ronaldo vuri theksin tek fakti se provokimet nga të dyja palët kanë nxitur këtë situatë, duke thënë: “Rozana provokoi e para, pastaj pse duhet të kenë edukatë vetëm ato që kanë fëmijë?”
Nga ana tjetër, Andeta mbrojti Rozanën, duke theksuar se tema e mëmësisë është tepër e ndjeshme dhe nuk duhet përdorur si armë në debate publike. “Unë nuk jam dakord që t’i përmendet mëmësia askujt,” tha ajo.
Amber Candy, e njohur për deklaratat e saj të drejtpërdrejta, shtoi një tjetër dimension në diskutim, duke e cilësuar Rozanën si “personazh teatral.”
Sipas saj, konflikti i krijuar ishte një përballje tipike mes “të mirës” dhe “të keqes” që tërheq audiencën. “Publiku e do dramën dhe këtë e dinë të gjithë. Në këtë rast, unë isha e mira, ndërsa Rozana e keqja,” deklaroi ajo.
Ky debat ka nxitur reagime të shumta nga publiku, duke hapur një diskutim të gjerë mbi mënyrën si trajtohen temat personale në një format televiziv.