Ish-menaxheri i Gjestit, Samed Potera, ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga artisti gjatë pjesëmarrjes së tij në Big Brother VIP Kosova 3, ku ky i fundit pretendoi se Potera i kishte vjedhur 100 mijë euro.
Në emisionin “Kosova Today”, Potera i ka cilësuar këto akuza si të pabaza dhe pa prova, duke theksuar se Gjesti duhet t’i drejtohet organeve kompetente nëse ka ndonjë pretendim të tillë.
“Nuk ka fakte, nuk ekziston ajo akuzë që e ka bërë. Ai e ka bërë një vit e gjysmë pasi jemi ndarë profesionalisht. Unë me Gjestin kam përfunduar çdo marrëdhënie në maj të vitit 2023. Afër dy vite po bëhen në maj. Ne jetojmë në një shtet demokratik, dhe për 100 mijë euro ai ka mundur të shkojë në organet e drejtësisë. Nëse unë i kam bërë dëm, ai duhet të kishte publikuar faktet. Sot nuk të lë askush, e lëre më për një shumë prej 100 mijë eurosh,” ka deklaruar Potera.
Për të mbështetur pretendimet e tij, Potera ka paraqitur fotografi, regjistrime dhe dokumente që, sipas tij, dëshmojnë se kontrata mes tyre është shkëputur në maj të vitit 2023.
Megjithatë, ai shtoi se vazhdon të menaxhojë të drejtat e këngëve të Gjestit deri në vitin 2027, në përputhje me marrëveshjen pesëvjeçare të licencimit dhe menaxhimit të produkteve muzikore.
“Unë i kam të gjitha gjërat me fakte. Kam kontratën dhe dokumentin e përfundimit të saj. Ai më ka kërkuar falje publikisht përpara se të largohej. Marrëveshja jonë ka qenë pesëvjeçare dhe unë kam investuar rreth 150 mijë euro për karrierën e tij,” ka thënë Potera.
Potera ka shtuar gjithashtu se ka paditur Gjestin për shpifje dhe prishje të imazhit: “Publikisht i ftoj të gjitha organet kompetente të merren me rastin. Kanali i YouTube dhe të drejtat e këngëve janë në pronësinë time, dhe këngët e tij kanë grumbulluar 30 milionë klikime që kur ai ka hyrë në Big Brother.”
Në fund, ai theksoi se marrëveshja ishte bërë në prani të babait të Gjestit dhe se nuk ka kërkuar asnjë dëmshpërblim për prishjen e kontratës. “Unë kam 4-5 mijë mesazhe si dëshmi. Kemi rënë dakord që kanali të jetë në pronësinë time. Sot jam këtu për të mbrojtur emrin dhe integritetin tim,” përfundoi Potera.