Në spektaklin e fundit të Big Brother VIP Kosova, Drenusha Latifi përjetoi një moment prekës kur takoi nënën e saj në një surprizë emocionuese.
Gjatë takimit, nëna e saj ngriti shqetësimin se fëmijët e Drenushës nuk kishin pasur mundësi ta takonin sepse ish-bashkëshorti i saj, Atilla, nuk i kishte lejuar të shkonin.
Atilla, i cili ishte i ftuar në emisionin “Big Talk,” sqaroi arsyet që qëndronin pas vendimit të tij për të mos sjellë fëmijët në shtëpinë e Big Brother. Ai nënvizoi se nuk kishte asnjë kundërshtim ndaj lidhjes mes fëmijëve dhe nënës së tyre, por shqetësimet e tij kishin të bënin kryesisht me mënyrën dhe orarin e organizimit të spektaklit.
“Unë nuk ua mohoj nënën, as nuk i ndal fëmijët prej nënës. Asnjë fjalë të keqe nuk kam thënë për të! E kundërta është, unë e kam të detyrueshme si prind t’i mbroj fëmijët. Nuk sillet fëmija në 11 e 30 të natës. Problemi është te produksioni. Është zgjedhja e saj që ka qëndruar brenda,” tha Atilla.
Ai theksoi se ky vendim ishte marrë që në fillim dhe ishte diskutuar me të gjitha palët e përfshira.
Gjithashtu, Atilla zbuloi se nuk kishte qenë i informuar paraprakisht për pjesëmarrjen e Drenushës në Big Brother dhe shtoi se ishte i shqetësuar për ndikimet e mundshme që një format kaq intensiv mund të kishte mbi fëmijët.
“Nuk është se nuk i ekspozoj unë fëmijët, i kemi rrjetet sociale, e kemi jetën tonë, por tani aty nuk kam pasur dëshirë,” përfundoi ai.