Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, në bashkëpunim me Top Channel, ka nisur rikonstruksionin e shtëpisë së Klajdi Musabelliut, banor i “Big Brother VIP 4”.
Gjatë një rrëfimi në spektaklin Prime, Klajdi ndau vështirësitë financiare që e detyruan të ndërpriste karrierën muzikore. Dy ditë më parë, Klajdi u surprizua nga prania e nënës së tij në spektakël, e cila e këshilloi të vazhdonte lojën dhe të kujdesej për veten.
Në të njëjtën mbrëmje, Arbër Hajdari, drejtues i “Fundjavë Ndryshe”, njoftoi se fondacioni do të marrë përsipër rikonstruksionin e plotë të banesës së Klajdit, ku ai jeton me të ëmën.
Sot, Arbër Hajdari vizitoi shtëpinë e Klajdit dhe bisedoi me nënën e tij, duke diskutuar detajet e rikonstruksionit. Puna për përmirësimin e kushteve të banesës ka filluar menjëherë, me synimin për t’i ofruar familjes Musabelliu një ambient më të sigurt dhe komod për jetesë.
Ky akt solidariteti synon të lehtësojë vështirësitë me të cilat përballet familja Musabelliu dhe t’i japë mundësinë Klajdit të rikthehet në pasionin e tij për muzikën.