Prej disa vitesh, Eno Popi ndan jetën mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Bashkëshortja e tij dhe vajza 6-vjeçare jetojnë në Kanada, ndërsa Eno, për shkak të angazhimeve profesionale, udhëton shpeshherë midis dy vendeve.
Kjo distancë e ka bërë lidhjen me vajzën e tij edhe më të ngushtë, dhe ai përpiqet të jetë sa më i pranishëm në jetën e saj.
Gjatë një interviste në programin “S’e luan Topi” me Erjona Rusin, Eno rrëfeu për përpjekjet e tij për të qenë një baba i përkushtuar, edhe pse shpeshherë dyshon nëse ka qenë i mjaftueshëm.
Ai shprehet se, kur Liv të rritet, do të kuptojë nëse ka bërë më të mirën për të. Duke folur për momentet e para kur mësoi se do të bëhej baba, Eno kujton edhe çastet më të bukura që ka përjetuar me vajzën e tij.
“Fillimisht, ndjeva frikë. Ishte një fazë e jetës që e kërkonim, por pa qenë plotësisht gati. Kur ndodhi, pata ndjesinë se gjithçka duhej ta menaxhonim ndryshe, duke u përshtatur me një fëmijë që rritej dhe kërkonte vëmendje,” shpjegoi Eno.
I pyetur nëse është një baba i mirë, i ashpër apo tolerant, ai u shpreh: “Nuk e di nëse jam baba i mirë. Kur Liv të rritet, ajo do të gjykojë nëse kam qenë mjaftueshëm për të…”