Rreth tre javë më parë, Parashqevi Simaku u shpëtua nga stacioni i trenit ku dhe qëndronte në New York, për t’iu ofruar një jetë dinjitoze, ashtu si e madhja artiste shqiptare e meriton.
Ishte shqiptarja Elvira Tata dhe biznesmeni Elton Ilirjani ata të cilët u kthyen në heronjtë e Parashqevisë dhe përgjatë gjithë këtyre ditëve janë kujdesur që ta kthejnë këngëtaren shqiptare ashtu si dhe ajo ka qenë vite më parë, shndritëse, plot dinjitet dhe dashuri për jetën dhe profesionin e saj.
Gjithashtu për t’i ardhur më shumë në ndihmë Parashqevisë, biznesmeni hapi një fushatë në “GoFundMe”, ku deri më sot, janë gjeneruar plot 134 mijë dollarë.
Për këtë, Ilirjani ka reaguar i revoltuar duke thënë:
“Dua të them dy fjalë me çfarë po ndodh dhe ku jemi me rastin e Parashqevi Simakut. Sot janë tre javë që nga momenti që ne e gjetëm atë në stacionin e trenit këtu në New York. Dua që të jap informacion çfarë ka ndodhur dhe ku ndodhemi me ndihmën që i është dhënë dhe me premtimet i janë bërë nga biznesmenë të ndryshëm.
Për momentin ne si grup dhe familjarë të Parashqevi Simakut nuk kemi parë asnjë ndihmë konkrete nga këta biznesmenë që u deklaruan me të madhe që do ta ndihmonin. Deri në këtë moment, deri sot, unë, Elvira, Vëllai i Parashqevisë, nipi, mbesa të gjithë ne nuk kemi marrë asnjë njoftim, nuk jemi kontaktuar nga asnjë biznesmen shqiptar të cilët të kenë shprehur dëshirën për ta ndihmuar në mënyrë konkrete Parashqevi Simakun. Më vjen keq që të pranoj që askush nuk është ofruar nga këta persona për ta ndihmuar“, tha Eltoni.