Këngëtarja shqiptare Parashqevi Simaku është padyshim një nga personazhet më të komentuar të vitit 2024.
Pamjet e trishta të saj, teksa shfaqej në rrugët e New York-ut duke marrë ndihma si një person i pastrehë, tronditën gjithë popullin shqiptar. Reagimet ishin të menjëhershme, duke nxitur solidaritet e mbështetje nga të gjitha anët.
Në mesin e kësaj vale mbështetjeje, virtuale dhe konkrete, një emër spikati për përkushtimin e tij: biznesmeni Elton Ilirjani. Ky i fundit luajti një rol vendimtar në ndryshimin e situatës së Simakut, duke marrë përsipër ta ndihmojë atë të rifitojë stabilitetin e munguar.
Pikërisht disa ditë më parë, Ilirjani njoftoi se nga data 1 janar 2025, Parashqevi Simaku do të ketë një apartament të saj në Manhattan — qiraja do të paguhet nga ai vetë. Ky gjest bujar shënon një fillim të ri për ikonën shqiptare, duke i ofruar jo vetëm një strehë, por edhe një shpresë të re për të ardhmen.
Sot pritet që Simaku të zhvendoset në apartamentin e saj të ri. Elton Ilirjani ka paralajmëruar se do të ndajnë me publikun momente nga ambienti ku këngëtarja legjendare do të jetojë në vazhdim, duke shënuar kështu një kapitull të ri e plot dinjitet në jetën e saj.