Pas tragjedisë ajrore në Korenë e Jugut, ku humbën jetën 179 persona, janë zbuluar fjalët e para të një prej të mbijetuarve, një anëtar i ekuipazhit të Jeju Air.
Ky aksident, i konsideruar si një nga katastrofat më të mëdha ajrore në historinë e vendit, ndodhi kur një avion Boeing 737-800 u përplas me një mur betoni gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Muan dhe shpërtheu në flakë.
Nga 181 personat në bord, të mbijetuarit e vetëm janë dy anëtarë të ekuipazhit: një burrë 33-vjeçar me mbiemrin Lee dhe një grua 25-vjeçare me emrin Koo.
Lee, i cili po trajtohet në një spital në Seul për frakturë të shpatullës dhe lëndime në kokë, pyeti me habi kur u zgjua: “Çfarë ka ndodhur? Pse jam këtu?”
Ai shtoi se mbante rripin e sigurimit gjatë përplasjes, por nuk kujtonte asgjë pas kësaj.
Ndërkohë, Koo po trajtohet në një spital tjetër për lëndime në kokë dhe këmbë, si dhe për probleme të tjera shëndetësore.
Autoritetet koreane janë ende duke hetuar shkaqet e aksidentit dhe kanë nisur një rishikim të përgjithshëm të sistemeve të sigurisë ajrore të vendit.