Në qendër të qyteteve të Shqipërisë, cepave të lagjeve apo buzë rrugëve ku kalojnë njerëz e makina, ka 26 mijë e 600 bar-kafene.
Biznesi i preferuar i shqiptarëve është më i përhapur në Tiranë me mbi 8 mijë e 300 pika kafenesh, ndjekur nga Vlora, Durrësi, Fieri dhe Elbasani. Lista pasohet nga Shkodra, Korça, Lezha, Berati, Gjirokastra, Dibra e Kukësi.
“Të gjithë e dimë që Shqipëria ka numrin më të lartë të bar-kafeneve dhe restoranteve. Ka një raport të fundit ku thuhet se pas pandemisë në botë pati një tkurrje të numrit të bareve dhe kafeneve, ndërsa në Shqipëri u rritën”, tha për A2 Shpëtim Agolli, ekspert për ekonominë.
Shqipëria thyen rekorde edhe në drejtim të shpenzimeve në bare dhe lokale. Mesatarisht në një vit një shqiptar shpenzon 270 euro, niveli më i lartë në Rajon, Europë dhe më gjerë.
“Shqiptarët rezultojnë që e pëlqejnë të shpenzojnë kohë në kafe më shumë se pjesa më e madhe e vendeve europiane, teksa në vend të tretë renditet Kosova, me 11.2% të subjekteve që e ofrojnë shërbimin ushqimor dhe të pijeve. Më pak renditen shtete që e kanë të lidhur ekonominë me aktivitetin e turizmit, si Mali i Zi (11%), Qipro (10.8%), Spanja (10.6%), Greqia (10%)”, theksoi Agolli.
Kafenetë dhe restorantet përbëjnë 16 për qind të ndërmarrjeve në ekonomi, punësojnë rreth 50 mijë individë. Rreth 64 për qind e atyre që punojnë në bare e restorante janë meshkuj. Sektori është ndër më të rëndësishmit për punësimin, duke u krahasuar me industrinë e tekstileve e këpucëve, që ka gjithsej rreth 55 mijë të punësuar.