Maestro Zhani Ciko, ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ku diskutoi mbi mundësitë e rikthimit të artistes së njohur Parashqevi Simaku.
Gjatë intervistës, Ciko theksoi potencialin e madh që ka Parashqevi Simaku për të rifituar vendin e saj të merituar në art.
Ai nuk e kufizoi rikthimin e saj vetëm në muzikë, por sugjeroi se talenti i saj mund të shtrihet edhe në botën e kinemasë, duke e konsideruar atë një artiste shumëdimensionale.
“Ajo mund të jetë edhe një aktore, mund të xhirojë një film të sajin, për historinë e saj, por edhe të këndojë këngët e repertorit të saj, ose këngë të reja”, tha Ciko.
Lidhur me komentet dhe spekulimet që janë bërë kohët e fundit mbi jetën dhe karrierën e Parashqevi Simakut, Ciko u shpreh kritik ndaj atyre që pretendojnë se dinë gjithçka.
“Më lëndojnë kur lidhin Parashqevinë me gjithë sigurimin e shtetit apo shtetin e asaj kohe. Duket sikur sigurimi apo shteti i asaj kohe, ishte në shërbim apo në mbështetje të Parashqevisë. Nuk është kështu, të mos i hiperbolizojmë gjërat kur s’janë ashtu”, tha Ciko.