Pak ditë më parë, gazetari Blendi Fevziu publikoi një video nga një muze në Gjermani, ku ishte i vendosur kostumi i astronautit të parë që vendosi këmbë në hënë, Neil Armstrong.
Menjëherë pas këtij postimi, gazetari ka bërë të ditur se ka marrë disa mesazhe nga njerëz të ndryshëm, për të cilët thotë se i ka identifikuar dhe rruajtur si emra.
“Njeriu nuk ka shkelur kurrë në hënë“, dhe “Toka është e sheshtë“, ishin dy nga mesazhet që revoltuan dhe nxitën një reagim të gazetarit.
Ai ka postuar një video pak më parë ku shprehet i revoltuar:
“A e dini cila ishte pyetja që i bëra vetes me habi pak ditë më parë pas një postimi në rrjetet sociale? A ka mundësi që në Shqipëri të ketë kaq shumë injorantë, të paditur dhe të fantaksur, që e shfaqin injorancën si një lloj triumfi? E dini pse? Postova një video ku isha në muzeun Xais në Gjermani, ku ishte kostumi i astronautit të parë që vuri këmbën në Hënë dhe me kamerën e parë me të cilën ai fotografoi Tokën nga Hëna, që tregonte formën e saj të rrumbullakët.
Menjëherë pas këtij postimi mora shumë mesazhe, por 57 prej tyre i kam identifikuar dhe i kam nxjerrë mënjanë për të kuptuar se çfarë marrëzie mund të arrijë opinioni. Disa prej mesazheve ishin: “Si mund të jesh ti kaq naiv dhe të besosh se njeriu ka shkuar në Hënë, është thjesht një mashtrim. Nuk ka ndodhur.” Të tjerë më thoshin: “Si mendon ti që Toka është e rrumbullakët, Toka është e sheshtë. Ja dil në dritare dhe shihe.”
Tani, unë e di që opinionet janë të ndryshëm, por faktet janë fakte. Do doja t’ju thosha të gjithëve këtyre të marrëve që është injorancë, aq më tepër ta manifestosh injorancën është një idiotësi. Që Toka është e rrumbullakët, e ka vërtetuar Aristoteli 2400 vjet më parë. E ka vërtetuar Magelani 500 vjet më parë.
Është një fakt i patjetërsueshëm: Toka është e rrumbullakët, o të marrë. Dhe po, njeriu ka shkelur në Hënë në korrik 1969 dhe është e filmuar e gjitha”.
Videon e ka shoqëruar me shkrimin: “Vërtet ka kaq injorantë dhe të paditur në rrjetet sociale shqiptare?”