Kushdo që ka parë filmin klasik të Krishtlindjeve, “Home Alone”, e kujton padyshim Marv Murchins, njëri nga dyshja komike e hajdutëve të paaftë që tentonin të grabisnin shtëpinë e familjes McCallister.
Por aktori Daniel Stern, i cili luajti rolin e Marv, nuk është më “krimineli” qesharak që të gjithë e donim.
Pas suksesit të madh të filmit të vitit 1990 dhe disa projekteve të tjera kinematografike, Stern vendosi të tërhiqet nga skena e Hollywood-it për të ndjekur një mënyrë jetese më të qetë dhe më autentike.
Në një rrëfim të ndjerë në biografinë e tij personale, Stern ndau detaje mbi transformimin e tij. Ai tregoi se, ndonëse kishte pasur sukses në kinema, ndiente mungesën e familjes dhe pasioneve të tjera që i kishin dhënë kuptim jetës së tij.
Sot, Stern jeton një jetë të thjeshtë në një fermë, ku përkushtohet ndaj skulpturës dhe artit të tij. Ai e përshkruan këtë periudhë si një kthim tek rrënjët dhe një mundësi për të jetuar më pranë natyrës.
Në fermën e tij, Stern krijon skulptura dhe gjen qetësinë që i mungonte gjatë viteve të shpenzuara në dritën e prozhektorëve të Hollywood-it. Për të, ky ndryshim është më shumë se një ndryshim karriere – është një zgjedhje jetese.
“Si fëmijë, isha një student i tmerrshëm, por shkëlqeva në të gjitha gjërat artistike – teatër, kor, bandë, qeramikë dhe skulpturë. E lashë shkollën e mesme kur isha 17 vjeç dhe u transferova në Nju Jork për t’u bërë aktor. U martova dhe u bëra baba kur isha 23 vjeç. Kam bërë shumë filma të shkëlqyer, por erdhi një moment ku më kishte munguar familja. Vendosa të ndaloj udhëtimet, të qëndroj në shtëpi dhe të fokusohem te familja ime dhe pasionet e mia të tjera artistike.”, tha ai
Edhe pse është larguar nga bota e filmit, Daniel Stern mbetet një figurë ikonike për breza të tërë që e kanë parë “Home Alone”.