Babai i Martin Canit ka treguar se djali i vogël ende nuk e di se çfarë ka ndodhur me të vëllanë dhe ata nuk kanë guxim t’ia thonë.
Angel Cani u shpreh se iu drejtua ambasadës amerikane pasi ka besim në drejtësinë e tyre dhe shpreson ta ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, duke qenë se nga shkolla e institucionet e tjera nuk është marrë asnjë masë.
Gjithashtu ai është shprehur se nuk e kanë parë ende videon e sulmit dhe se avokati akoma pret informacione. Në intervistën për “Shqipëria Live” në Top Channel ai tregoi gjithashtu se mamaja e Martinit ende nuk e ka marrë veten nga humbja tragjike e djalit të tyre.
“Vëllai i Martinit ende nuk e di për humbjen e tij. Në ditën e varrimit e patëm dërguar te miqtë tanë dhe nuk e ka marrë vesh akoma. Asnjëri nuk i tregon dhe rri i heshtur. Nuk e bëjmë dot, nuk kemi guxim. Diçka po përpiqet të kuptojë, pse nuk vjen Martini babai, është shumë e rëndë. Nuk kam fjalë që ta përshkruar. Përveç miqve dhe shqiptarëve, nuk ka pasur ofrim tjetër për ndihmë. Jemi shumë të rënduar psikologjikisht. E shkruam letrën sepse besojmë në drejtësinë e tyre që kanë të shenjtë demokracinë, duke shpresuar mos na ndihmojnë. Nga shkolla e me radhë nuk janë marrë masa. Unë do bëja dorëheqje të moralshme që te dera e shkollës e me radhë zinxhiri.
Jo nuk e kam parë videon. Avokati pret informacione dhe asnjë detaj nuk kemi. Mora çantën e shkollës, akoma nuk kam marrë telefonin. Nusja ime akoma nuk ka marrë veten, i rrinë 4 veta mbi kokë që t’ja humbin sado pak mendjen. Këtu në shtëpi nuk jetohet më. Dua që Martini të jetë shembull e mburojë për të gjithë martinat e tjerë. Gofoundme po e drejton nusja e vëllait tim, është doktoreshë atje. Mesazhi im është të kemi sa më shumë harmoni me njerëzit, mos paçin fatin e Martinit. Ai ishte humori jonë, ai ishte drita e syve tanë.”- u shpreh babai i Martinit.
Ditën e djeshme, Gjykata e Apelit në Tiranë la në burg autorin e vrasjes së Martin Canit, 14-vjeçarin, Mario Përlleshi. Ky i fundit kishte kërkuar zbutje te masës së sigurisë, por gjykata e ka rrëzuar kërkesën e tij.
Përlleshi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Pas daljes nga spitali, Përlleshi u transferua te burgu i të miturve në Kavajë.