Aktori i njohur Gent Hazizi ka bërë një rrëfim të ndjerë dhe emocional në emisionin “Një gotë Rose” të Rozana Radit, duke zbuluar një nga momentet më tragjike të jetës së tij: vetëvrasjen e vëllait.
Hazizi ndau detaje të dhimbshme nga ngjarja që ka lënë një shenjë të pashlyeshme në jetën dhe kujtesën e tij, duke rrëfyer momentin kur e pa për herë të fundit të vëllanë e tij të pajetë.
“E kam gjithmonë fotografi, me vëllain tim të shtrirë…që kishte një litar gjaku dhe mua më dukej sikur po t’ia hiqja do t’ia shkurtoja. Vrau veten, një tragjedi familjare, asokohe punonte… kishte armë, punonte në Drejtorinë e Dytë që quhej atëherë, nuk po merrem me detaje si ishte historia, por po merrem me veten time që e pashë të shtrirë dhe… kam jetuar gjithë jetën time me mendjen që unë kam vdekur atë ditë dhe çdo gjë më dukej”, tha ai.
Hazizi foli për sfidën e madhe të faljes së vëllait të tij pas vetëvrasjes, një proces që, siç rrëfen ai, zgjati plot 25 vite. Ai tregoi se ishte arti dhe një profesoreshë në Itali që e ndihmuan të përballej me dhimbjen dhe të arrinte faljen.
“Kam arritur ta fal pas gati 25 viteve. U bë sebep zysha ime në Itali që më tha, unë do të bëja Mark Antonin dhe po përdorja figurën e vëllait për të folur për Cezarin e vdekur. Ajo më tha: “E ke gabim, pavarësisht se ndjesia është shumë e fortë, e ke gabim sepse ti nuk e ke falur atë”, kështu që më futi pastaj në një gjendje që unë ta rijetoja atë histori, pastaj më tha ‘mbylli sytë, shikoje vëlllain tënd edhe njëherë, fale dhe lëre të shkojë’. Unë kam dalë nga ajo gjendje, i thashë kush je ti që më bën këto gjëra?”, tregoi Hazizi.
Ngjarja tragjike ka ndodhur kur Gent Hazizi ishte vetëm 5 vjeç, por ai kujton çdo detaj si një fotografi të përhershme në mendjen e tij. Aktori pranoi se përjetimet e asaj kohe kanë ndikuar thellësisht në personalitetin dhe jetën e tij.