Sipërmarrësi dhe modeli ndërkombëtar, Elton Ilirjani, ka nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar ikonën shqiptare, Parashqevi Simakun.
Në një llogari të hapur në platformën “GoFundMe,” Ilirjani thekson se e ndërmori këtë iniciativë për shkak të gjendjes së vështirë aktuale të këngëtares, e cila ka lënë një trashëgimi të pasur në muzikën shqiptare.
Në përshkrimin e fushatës, Ilirjani ndan frymëzimin e tij nga historia dhe arritjet e jashtëzakonshme të Simakut, duke e cilësuar atë si një “Divë shqiptare” që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe muzikën shqiptare të viteve 1980 dhe 1990.
Ai bën thirrje për të treguar kujdes dhe dashuri ndaj saj, duke theksuar rëndësinë e kthimit të dinjitetit dhe respektit që ajo meriton.
Deri më tani, janë mbledhur rreth 8 mijë dollarë nga synimi prej 1 milion dollarësh.
Fondet, sipas Ilirjanit, do të menaxhohen me përkushtim të plotë dhe do të përdoren për mirëqenien dhe prosperitetin e këngëtares. Ai garanton transparencë dhe menaxhim të drejtë të çdo qindarke të dhuruar nga mbështetësit.