Futbollisti i njohur shqiptar, Rey Manaj u bë protagonist për keq, në ndeshjen e djeshme ku Sivasspor u mposht 2-3 nga Galatasaray.
Manaj bëri një ndërhyrje të frikshme ndaj sulmuesit turk, Baris Alper Yilmaz. Një ndërhyrje shumë e rrezikshme, e cila për çudi nga gjyqtari i sfidës u vlerësua vetëm me ndëshkimin me karton të verdhë, edhe pse rastin e pa në VAR.
Federata Turke e Futbollit ka dalë me një reagim zyrtar, teksa ka nisur edhe një hetim.
“Ndjejmë keqardhje për dëmtimin e pësuar nga Baris Alper Yilmaz, një lojtar me vlerë për Gallatasaray dhe ekipin tonë kombëtar, si pasojë e një ndërhyrje josportive në ndeshjen e luajtur sot Sivasspor – Galatasaray.
Federata dëshiron të informojë opinionin publik se ky incident i trishtë do të hetohet në detaje dhe do të bëjmë çdo përpjekje për t’u siguruar që përgjegjësit të marrin ndëshkimin e nevojshëm disiplinor. Shëndeti dhe siguria e çdo lojtari që është pjesë e futbollit turk, është prioriteti ynë”, shkruhet në komunikatën zyrtare të Federatës Turke të Futbollit.
Gjithashtu ka qenë dhe vetë presidenti i Federatës, Ibrahim Haciosmanoglu që ka folur. Ai ka paralajmëruar që do të ketë sanksione për gjyqtarin e sfidës Turgut Doman, me këtë të fundit që kurseu kartonin e kuq ndaj sulmuesit të Kombëtares shqiptare.
“A keni parë ndonjëherë një gjë të tillë në jetën tuaj? Ne nuk do të lejojmë askënd të luajë me dinjitetin dhe nderin tonë. Qoftë ky një gjyqtar apo kushdo tjetër… Nuk kam parë ndonjëherë diçka më të turpshme. Nuk është e mundur të aprovosh vendime që merren kundër krenarisë tonë, një lojtari të ekipit kombëtar. Do të bëjmë çfarë është e nevojshme”, është shprehur presidenti i Federatës Turke të Futbollit.
Burimi: Top-Channel.Tv