Rozana Radi dhe Sany Dimitri triumfuan në “Kënga Magjike 2024” me këngën “Akoma,” duke marrë pikët maksimale nga juria, artistët pjesëmarrës dhe publiku. Por ndërsa suksesi i tyre duhej të festohej, rezultati ka ndezur një debat të gjerë dhe të zjarrtë në rrjetet sociale.
Një pjesë e madhe e publikut ka shprehur zhgënjimin, duke theksuar se kishte artistë të tjerë me performanca më të fuqishme që meritonin çmimin.
Kritikat kanë përfshirë jo vetëm aspektin artistik, por edhe përkatësinë kombëtare të fituesit Sany Dimitri, i cili vjen nga Greqia.
Një komentues në rrjetet sociale shkruan:
“Kemi këngëtarë shqiptarë me super vokale dhe vjen një grek të marrë çmimin e parë. Vetëm te ‘Kënga Magjike’ ndodh kjo. Kishte këngëtarë që kënduan shumë më mirë. Turp.”
Ky qëndrim është reflektuar edhe në komente të tjera, ku disa ngritën pyetjen: “A do të fitonte një artist shqiptar në një festival të ngjashëm në Greqi?”
Arilena Ara, një nga artistet më të njohura të muzikës shqiptare, e cila nuk ishte pjesë e këtij festivali, ka përfituar nga situata për të bërë një deklaratë ironike. Në një postim në Instagram, ajo ndau një histori ku shkruan:
“Natën e mirë vetëm për @arilenaaraa, që ua merr çmimin pa qenë fare prezente. Jam krenare për ty, diva”.