Pas kualifikimit historik të Kombëtares Shqiptare në Europianin e Gjermanisë, kënga patriotike “Mora Fjalë” u bë një simbol festiv për tifozët shqiptarë, duke u kënduar në çdo ndeshje dhe grumbullim të tyre.
Megjithatë, së fundmi, kjo këngë është ndaluar për t’u kënduar në stadium, një vendim që ka ngjallur reagime të forta nga artistja Shkurte Fejza dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana.
Reagimi i Shkurte Fejzës:
Artistja e njohur, e cila e ka performuar këtë këngë në stadium gjatë aktiviteteve kombëtare, e konsideron këtë ndalim të pakuptimtë:
“Unë jam ndier shumë e nderuar që më kanë ftuar të këndoj në stadium dhe ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm. Por kënga që është e ndaluar ose e mohuar, për mua është diçka e pakuptimtë. Më dhemb sepse kjo këngë është për një figurë të shenjtë që ka Kosova dhe konsiderohet një figurë e shenjtë dhe për Shqipërinë. Kjo këngë mori përmasa nga stadiumi,” tha Fejza, duke nënvizuar rëndësinë e këngës si një simbol kulturor dhe patriotik.
Reagimi i Lorik Canës:
Edhe Lorik Cana, një nga figurat më të dashura të futbollit shqiptar, reagoi lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar të pamundur ndalimin e këngës nga tifozët.
“E lexova pak në rrjete. Nuk është se kam pasur një vëmendje të madhe, por është një fat që e kemi një Shkurte Fejzaj që për ne në Kosovë është një figurë e veçantë. Sa i përket pjesës së këngës, të them të drejtën nuk jam shumë brenda ngjarjes, por një gjë është e sigurt, mos t’i japim aspekt negativ. Kënga do këndohet nëpër shkolla, nëpër stadiume. Dhe kur këndojnë tifozët, askush nuk mund t’i ndalë. Nuk e shoh që të mbahet si polemikë. Sa i përket këngës “Mora fjalë”, është këngë e popullit tonë, e sakrificave dhe kur këndohet në stadium, nuk ka asgjë që e ndalon, me muzikë apo pa muzikë në sfond”.