Luis Meçja ka bërë një thirrje publike për ndihmë financiare pasi u plagos rëndë në konfliktin ku humbi jetën shoku i tij, Martin Cani.
Në një faqe “GoFundMe” të hapur në emrin e tij, Luisi tregon për gjendjen e tij dhe nevojën për ndihmë për të përballuar shpenzimet mjekësore.
Luisi është goditur katër herë me thikë nga dy persona, në stomak, shpinë dhe mushkëri. Ai është shtruar në spital prej një jave dhe ndodhet ende në gjendje të vështirë.
Në mesazhin e tij, ai shpjegon se familja e tij nuk ka mundësi ekonomike për të paguar shërbimet spitalore, psikologun dhe fizioterapistin e nevojshëm për shërimin e tij.
“Përshëndetje, unë jam Luis Mecja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj për t’u shëruar. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri. Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju mund të shihni historinë time në facebook, instagram, lajmet se çfarë më bënë dy personat me thika, një masakër“-thuhet në mesazh.