Sipas Policisë, bazuar në dëshmitë dhe provat hetimore, autori i vetëm i ngjarjes është Mario Përlleshaj, i cili ka qëlluar me thikë për vetëmbrojtje pasi është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i tij, Luis Meçes.
Në njoftimin e saj, Policia mohon praninë e një autori të dytë dhe shpreh indinjatën ndaj “lajmeve të rreme” që kanë ngritur dyshime mbi këtë çështje.
Megjithatë, deklarata e Policisë nuk adreson disa elemente të rëndësishme, përfshirë dëshminë e babait të Luis Meçes, i cili ka pretenduar publikisht se djali i tij është qëlluar me dy thika në trup, duke sugjeruar përfshirjen e një personi të dytë.
Kjo dëshmi mbështetet edhe nga disa dëshmitarë të pranishëm në vendngjarje, të cilët kanë dhënë versione të ndryshme nga njoftimi zyrtar i Policisë.
Për më tepër, burime të besueshme raportojnë se kamerat e sigurisë kanë kapur 8 persona që kanë qenë në vendgjarje, megjithëse këto materiale ende nuk janë publikuar për shkak të sekretit hetimor.
Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit
Policia këmbëngul se autori ka vepruar vetëm dhe se komunikatat e saj bazohen në prova të pakontestueshme, por refuzimi për të përfshirë të gjitha dëshmitë dhe për të sqaruar detaje të rëndësishme ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën e hetimeve.
Ndërkohë, grupi hetimor është ende në proces për dokumentimin e ngjarjes, duke lënë hapësirë për interpretime dhe dyshime mbi atë që ndodhi realisht në shkollën “Fan Noli” atë ditë tragjike.
Burimi: Gazeta Reforma