Luis Meçe, i mbijetuari i ngjarjes së rëndë ku humbi jetën shoku i tij, Martin Cani, ka folur për herë të parë për mediat duke ndarë detaje të tmerrshme nga sherri brutal që përfundoi në tragjedi.
Në një intervistë të dhimbshme, ai rrëfeu se në vendngjarje ishin tre persona, dy prej të cilëve e sulmuan direkt, ndërsa i treti, një burrë, e kishte bllokuar fizikisht duke mos e lejuar të ndërhynte për të mbrojtur Martinin.
Sipas tij, situata eskaloi kur dy persona, Mario dhe një tjetër djalë me flokë të gjata, nisën sulmin. “Mario nxori thikën dhe filloi ta qëllonte Martinin në zemër,” tha ai, duke shtuar se tentoi menjëherë të ndihmonte shokun e tij.
Luis Meçe tregoi se në përpjekje për të ndalur sulmin, ai u pengua nga një burrë që e ngriti në ajër, duke e lënë të pafuqishëm për të vepruar. “Nuk arrita ta identifikoj këtë person, por ai më ndaloi të mbroja Martinin,” tha ai me dhimbje.
Luisi shpjegoi se u sulmua nga të dy agresorët dhe pësoi goditje të shumta. “Mario më qëlloi gjashtë herë në kraharor, katër prej të cilave më prekën,” tha ai, duke shtuar se sulmi i kishte lënë plagë serioze. Ai përshkroi sesi u përpoq të mbrohej duke qëlluar njërin prej agresorëve dhe duke u larguar nga frika për jetën e tij.
Biseda gjatë intervistës:
Gazetarja: Ti po thua që kanë qenë tre persona në vendngjarje?
Luis Meçe: Po, njëri vetëm më ka ngritur.
Gazetarja: Personin e tretë nuk munde ta identifikosh?
Luis Meçe: Jo, nuk e di.
Gazetarja: Luis sa veta ishin që ju sulmuan ditën e ngjarjes?
Luis Meçe: Ishin dy persona, Mario dhe një djalë me flokë të gjata.
Gazetarja: Atë djalin tjetër e ke parë ndonjëherë më parë?
Luis Meçe: Jo, nuk e kam parë më parë. Di që është bashkëmoshatar i jonë. Nga ai moment mbaj mend që shoku i Marjos, një djal me flokë të gjata më goditi pas shpine. U ktheva, e godita. Kur u ktheva përsëri pash që Mario kishte nxjerr thikën dhe po godiste Marinin në zemër, shkova direkt për të mbrojtur Martinin. Më pas më kapi një burrë që nuk e pash kush ishte, më kapi dhe më ngriti në ajër. Kur u ktheva prap pash që Mario ishte ngritur dhe më drejtoi thikën për në zëmër. Vura dorën përpara. Thika më preku vetëm pak zemrën.
Më pas ai kaloi thikën nga dora e majtë në të djathë dhe donte të më sulmonte në fyt. Unë ula kokën dhe e godita me dorën e vetë në ballë. Pastaj vazhdoi lufta. Ai më qëlloi 6 herë në pjesën e kraharorit, por 4 herë më kapi. Unë pash që thika e tij ishte më e madhe se dora ime dhe u tremba. Shkova dy hapa pas dhe e qëllova në fytyrë. Më rrethuan dy. Nga frika që kisha i qëllova aq fortë sa njërit ia përplasa kokën te hekuri. Marios. Atij tjetrit i kam qëlluar në sy dhe ia futa vrapit. Unë dua të vinë e të bëjnë ekspertizën mjekoligjore për ta kuptuar të gjithë që kam plagë nga dy thika të ndryshme. Nuk flas dot më shumë. Kam shumë dhimbje.