Kreu i një partie të vogël opozitare japoneze kërkoi falje pas deklaratave te tij shokuese se grave pa fëmijë duhet t’u hiqet mitra pasi të mbushin 30 vjeç, në mënyrë që të ndjehen se kanë një “kufizim kohor” për lindjen e fëmijëve.
Ai u duk se la të kuptohej gjatë një debati rreth rënies së nivelit të lindjeve në vend se kjo mund të çonte në zgjedhjen e grave për të pasur fëmijë më herët.
Naoki Hyakuta, një shkrimtar dhe kreu i Partisë Konservatore të Japonisë, e ngriti idenë e diskutueshme në një emision në YouTube, në të cilin ai ishte i ftuar, megjithëse theksoi se nuk e mbështet atë.
Në një fjalim në Nagoya, ai pranoi se komentet që dëgjoi për atë deklaratë “ishin shumë të hidhura”. “Do të tërhiqem dhe do të kërkoj falje pasi kishte njerëz që e konsideruan ofenduese atë që thashë”, tha ai.
Ai më vonë kërkoi falje përmes X, duke thënë se komentet ishin “pa dyshim jashtëzakonisht të ashpra” , megjithëse ai kishte theksuar në debat se idetë ishin “fantashkencë” dhe “diçka që nuk duhej të kishte ndodhur”. “I kërkoj falje kujtdo që mund të kem ofenduar”, ka shkruar ai.
Numri i lindjeve në Japoni në gjysmën e parë të 2024 ra në nivelin më të ulët që nga viti 1969, treguan të dhënat e qeverisë në shtator, duke nënvizuar problemin e vështirë demografik me të cilin përballet vendi.