Ilnisa Agolli dhe Meriton Mjekiqi, çifti i njohur nga “Big Brother VIP”, kanë kaluar kohë të vështira në marrëdhënien e tyre, të cilat duket se i kanë çuar drejt një ndarje të mundshme.
Problemet mes tyre u përfolën për herë të parë rreth një muaj më parë, dhe së fundmi është bërë e ditur se të dy kanë fshirë fotot e përbashkëta nga “Instagram”-i dhe nuk e ndjekin më njëri-tjetrin.
Mirëpo së fundmi burime pranë çiftit kanë bërë me dije se arsyeja kryesore e konflikteve ka qenë xhelozia. Meritonit nuk i kanë pëlqyer skenat e shpeshta xhelozie nga ana e Ilnisës, gjë që ka shkaktuar tensione dhe grindje të vazhdueshme. Pas disa përplasjeve, moderatori kosovar ka vendosur të largohet nga shtëpia e përbashkët, duke u kthyer fillimisht në Prishtinë dhe më pas duke udhëtuar drejt New York-ut për disa angazhime personale.
Nga ana tjetër, Ilnisa ka qëndruar në Tiranë, duke vijuar aktivitetet e saj. Në një deklaratë të shkurtër, ajo pranoi se mes tyre ka pasur probleme, por theksoi se “si çdo çift, edhe ne kemi grindje të vogla.” Megjithatë, largimi i Meritonit nga shtëpia dhe mungesa e komunikimit të hapur për situatën kanë ngritur dyshime për një ndarje përfundimtare.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në marrëdhënien e tyre janë marrëdhëniet e tensionuara të Ilnisës me familjen e Meritonit. Thuhet se familja e tij nuk e ka pranuar ende partneren, gjë që ka shtuar presionin mbi çiftin.
Pavarësisht se çifti u shpreh në të kaluarën se kishin projekte të mëdha së bashku, situata aktuale tregon se marrëdhënia e tyre është në krizë.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse këto konflikte do të jenë të përkohshme apo do të çojnë në një ndarje përfundimtare.