Ngjarja tragjike e ndodhur pak ditë më parë, ku Martini 14-vjeçar humbi jetën në mënyrë të dhunshme nga bashkëmoshatari i tij, ka tronditur thellësisht gjithë Shqipërinë.
Në një intervistë prekëse për Top Channel, prindërit e Martinit ndanë dhimbjen e tyre të papërshkrueshme, por edhe një mesazh fisnik që reflekton paqen dhe humanizmin.
“Nuk duam hakmarrje,” deklaruan ata mes lotëve.
Nëna e Martinit e përshkroi atë si një djalë të dashur dhe me ëndrra të mëdha: “Ishte një fëmijë i mrekullueshëm. Thoshte gjithmonë se do të bëhej futbollist i madh. Ku ta gjej djalin tim tani?”
I ati, i prekur thellë, theksoi se familja e tij nuk kërkon të mbjellë urrejtje apo hakmarrje, por dëshiron paqe. “Ne nuk jemi njerëz që duam hakmarrje. Duam të punojmë, të jetojmë në paqe. Synojmë të largohemi nga këtu dhe të shkojmë në SHBA te vëllai im. Kjo dhimbje është e papërshkrueshme dhe nuk ia uroj askujt,” u shpreh ai.
Kur u pyetën nëse kanë marrë ndonjë kërkim falje nga familja e autorit të dyshuar, ata thanë se nuk kanë asnjë informacion deri tani. Megjithatë, babai i Martinit përsëriti mesazhin e tij se askush nuk e dëshiron që fëmija i tij të kthehet në një kriminel, duke kërkuar reflektim nga të gjithë.