Kryeministri Edi Rama bëri të ditur qëndrimin e tij në një deklaratë për mediat lidhur me ngjarjen e rëndë në shkollën “Fan Noli”, ku një 14-vjeçar u vra nga bashkëmoshatari i tij.
Kreu i qeverisë theksoi se do të ndërmerren masa për parandalimin e të tilla ngjarjeve, duke vënë theksin te rrjetet sociale që sipas tij promovojnë bullizëm.
Rama tha se qeveria do të ndërmarrë një nismë konsultimi me prindërit në të gjitha shkollat, ku në bashkëpunim me ta do të merret vendimi nëse do të mbyllen rrjetet sociale “TikTok” dhe “Snapchat” apo do të vendosen filtra për të kontrolluar aksesin e fëmijëve nën 16 vjeç në këto platforma.
“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, ku në fakt nga eksperiencat e deritanishme ku efektiviteti i tyre është i ulët ku rastet e bullizmit rriten ose të ndërmarrin masën drastike të mbylljes së TikTok dhe SnapChat.
Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim për diskutim të gjerë në të gjitha komunitetet e prindërve, ku do të angazhohen të gjitha shkollat, nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit, për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh, por kompleks në përmbajtjen dhe zgjidhjen e vetë,” tha Rama.
Martin Cani u vra nga një bashkëmoshatar i tij pranë shkollës “Fan Noli”, ku të dy studionin. Zanafilla e konfliktit nisi në rrjete sociale dhe pas ngjarjes autori shpërndau në “Snapchat” një foto të plagës së marrë në dorë.