Një ditë e trishtë është sot për nxënësit e Fan Nolit, për skuadrën Dinamo dhe për të gjithë shoqërinë. Vdekje e 14-vjeçarit pas një sherri për arsye banale jashtë shkollës me një grup bashkëmoshatarësh ka tronditur mbarw opinion publik.
E teksa sot Martin Cani duhej të kthehej për stërvitje në fushën e gjelbër, 14-vjeçarit ju ndërprenë ëndrrat në mes pas një sherri që degradoi në përdorimin e thikës.
Shokët e skuadrës janë mbledhur këtë pasdite bashkë me trajnerin e tyre, për të bërë stërvitje, por vetëm pak minuta më pas kanë marrë lajmin e kobshëm. Trajneri Egert Bakalli është munduar t’u japë forcë adoleshentëve që mësuan për lajmin e trishtë.
“Duhet të bëhemi të fortë, s’kemi ç’të bëjmë. Jeta është e poshtër prandaj ju them. Kjo është mosha më delikate e juaja. Le të shajë tjetri kthe kurrizin, ik në shtëpinë tënde. Për vete e kanë të tjerët”, dëgjohet t’u thotë ai.
Kujtojmë që ngjarja u shënua mesditën e kësaj të hëne, ku një konflikt mes nxënësve të “Fan Nolit” dhe një tjetër shkolle në Sauk përfundoi në tragjedi. Konflikti mes të rinjve kishte nisur në rrjetet sociale dhe u zhvendos në afërsi të shkollës “Fan Noli” në të cilën shkolloheshin dy të rinjtë, viktima dhe shoku i tij.
Policia e Tiranës bëri me dije se ngjarja ndodhi rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli”. Katër të rinjtë u konfliktuan me njëri-tjetrin, konflikt i cili më pas agravoi deri në përdorimin e thikës.