Lorenc Vangjeli ka tentuar të sqarojë deklaratën e tij të rëndë e bërë disa ditë më parë, ku u shpreh se të sëmurët me kancer ‘janë të dënuar nga Perëndia të vdesin’.
Gazetari dhe analisti kërkoi ndjesë publike për këdo që mund të jetë prekur nga deklarata, e cila sipas tij është nxjerrë nga konteksti.
“Ndjesë, me përulësinë më të thellë për këdo që ka kuptuar krejt tjetër gjë nga ajo që kam thënë. Ndjesë për çdo vuajtje që mund të ketë sjellë. Është nxjerrë jashtë kontekstit.”
Më tej, Vangjeli shpjegoi deklaratën:
“Si qenie njerëzore jemi të dënuar me vdekje, këta persona me sëmundje të rëndë kanë nevojë për shumë më tepër empati nga shoqëria, për shumë mbështetje nga shteti. Ky është mendimi im, aq më tepër për këta njerëz, për të mirën e përgjithshme. Kërkoj ndjesë, në këtë botën tonë të ndërlikuar gjuajmë me gur edhe aty ku s’duhet.
I pyetur nëse e kishte ndjekur dhe gjithë bujën që bëri deklarata e tij në rrjet, si një deklaratë e pavend, Vangjeli tha se ‘nuk e ka ndjekur, por e ndjeu zhurmën e madhe që u krijua’.