Prokuroria e Posaçme njoftoi këtë të shtunë shkatërrimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës me bazë në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës.
Rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës u zbulua falë një hetimi të Prokurorisë së Posaçme, të nisur në vitin 2023. 10 janë të arrestuarit, 7 shqiptare dhe 3 të huaj, prej të cilëve 2 nga Venezuela dhe një nga Kolumbia.
Të arrestuarit:
Shtetas shqiptar:
1- Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Artion Caushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Endi Sejdini 25 vjeç, banues në Krujë
5- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7- Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
1- Hiëlen Ledezma Narvaez 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano 42 vjeç, shtetas venezuelian
Në njoftimin për mediat, SPAK dha detaje për këtë sipërmarrje të sofistikuar kriminale, me bazë në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës.
Bëhet fjalë për një laborator të përpunimit të kokainës, drogë e cila sillej nga Amerika Latine e kontaminuar dhe përpunohej në Shqipëri, duke u bërë kështu gati për tregun europian. Përveç laboratorit në Qerekë, grupi kriminal kishte edhe ambientet të tjera të vendosura në Tiranë e Durrës, në ndihmë të gjithë kësaj sipërmarrjeje.
Në mesin e provave të sekuestruara nga autoritetet ligjzbatuese janë 6.1 kilogramë kokainë. Ashtu sikurse 48 tonë material i papërpunuar organik ku dyshohet se fshihet kokainë
Operacioni u konsiderua nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete”, u shpreh Dumani.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti.
“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.”