Sonte në spektaklin e radhës të “Big Brother VIP Kosova 3”, pritet të ndodhin ngjarje të ‘fuqishme’ që mund të ndryshojnë rrjedhën e lojës.
Një nga momentet kryesore të mbrëmjes do të jetë takimi i Xhenetës me vëllain e saj, i cili ka udhëtuar posaçërisht nga Suedia për këtë rast. Ky takim mund të ndikojë në gjendjen emocionale të Xhenetës dhe vendimin e saj për të vazhduar në garë ose për t’u larguar nga shtëpia, duke e kthyer këtë ngjarje në një nga pikat kulmore të spektaklit.
Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, rikthimi i bashkëshortes së Mevlanit do të sjellë një tjetër situatë me të papritura. Pas përmendjes së saj në episodin e kaluar, ajo do të ketë mundësinë të sqarojë disa detaje që mund të ndryshojnë perceptimin e banorëve dhe publikun për marrëdhënien e tyre.
Java e fundit në shtëpinë më të famshme të Kosovës ka qenë e mbushur me tensione, debate dhe përplasje mes banorëve, të cilat do të analizohen nga panelistët e njohur Olta Gixhari dhe Milaim Zeka. Komentet dhe analizat e tyre pritet të hedhin dritë mbi strategjitë dhe lojën e secilit prej konkurrentëve.
Spektakli i moderuar nga Alaudin Hamiti dhe Jonida Vokshi premton të jetë një nga episodet më të diskutuara deri tani, duke sjellë emocione dhe surpriza për të gjithë ndjekësit e këtij formati.