Një episod i tensionuar u regjistrua në emisionin “People” të moderuar nga Flor Gjini, ku e ftuar ishte këngëtarja dhe autorja Elsa Lila.
Diskutimi filloi me fokusin te libri i saj i ri, “Mirë se erdhe në Rebibia”, i cili reflekton mbi peripecitë personale dhe jetën e saj në vitet e fundit.
Gjatë transmetimit, një situatë e papritur tensionoi atmosferën. Në ekran u shfaqën tituj të mediave që risillnin në vëmendje arrestimin e Elsa Lilës nga policia italiane disa vite më parë, ngjarje për të cilën ajo është tashmë e shfajësuar.
Pamjet e rikthyera shkaktuan reagimin e menjëhershëm të këngëtares, e cila kërkoi me vendosmëri që ato të hiqeshin.
“Ju lutem, mbuloni këto pamje me diçka tjetër. Këto janë histori të mbyllura dhe nuk ka nevojë të rikthehen. Përndryshe, do të largohem nga studio,” tha Elsa, duke vënë në vështirësi moderatorin.
Flor Gjini u përpoq ta qetësonte situatën dhe të kthente vëmendjen te tema e librit, por tensioni mes tyre mbeti i dukshëm. Elsa shprehu zhgënjimin e saj për shfaqjen e këtyre imazheve, ndërsa Flori theksoi se qëllimi i emisionit nuk ishte të përqendrohej te ngjarjet e së shkuarës, por te rrëfimi i saj personal përmes librit.
Pas një shkëmbimi të ngarkuar emocional, Elsa Lila vendosi të mbyllte pjesëmarrjen e saj, duke falënderuar shkurtimisht publikun.
Biseda e zhvilluar drejtpërdrejt në studion e televizionit Euronews Albania:
Elsa Lila: Mund t’i mbuloni këto pamje me diçka tjetër, sepse ka kaluar kohë deri kur… mos t’i përdorni përsëri këto. Se ndryshe mund të largohem që këtu drejt për së drejti, pa problem.
Flor Gjini: Regjia mund t’i heq titujt. Fokusohemi te biseda.
Elsa Lila: Po.
Flor Gjini: Zgjodhe që të mos i lexoje ato tituj, t’i shmangeshe
Elsa Lila: Si mund t’i lexoj kur ju akoma i nxirrni, ju akoma po më shisni me këto imazhe, çfarë kuptimi kishte të nxirrje këtë imazh këtu tani?! Kush është kuptimi, kur unë kam ardhur me këtë libër. Cili është kuptimi?! Faleminderit shumë.
Meqë jemi drejtpërdrejt, të dashur spektatorë dhe telespektatorë…
Flor Gjini: Jo, të lutem të kthehet kamera te unë. Këtë program, më vjen keq Elsa Lila por e drejtoj unë.
Elsa Lila: Unë doja vetëm të përshëndesja publikun, meqë jemi drejt për së drejti
Flor Gjini: Ne jemi drejtpërdrejt dhe miq ne do të kishim një bisedë me Elsa Lilën. “Mirë se erdhe në Rebibia”, për të diskutuar për ngjarjet dhe librin, sepse ai ishte fokusi. Por Elsa Lila erdhi me vonesë sot. Në intervistën e fundit, ajo ka përmendur se ka qenë e shqetësuar për lajmet, titujt, duke menduar që edhe familjarët e saj i lexojnë këto lajme dhe komentet në rrjetet sociale.
Ne në media bëjmë edhe pasqyrimin për ngjarjet që kanë kaluar dhe besoj që pastrimin e saj shpirtëror Elsa Lila e ka dhënë në ” Mirë se erdhe në Rebibia”. Por ndoshta për të kuptuar më shumë, nëse Elsa nuk i ka lexuar këto tituj dhe me këtë libër ka bërë pastrimin e saj, ka diçka që të shqetëson Elsa?
Elsa Lila: Mund edhe ta mbyllim emisionin, të falenderoj shumë.
Flor Gjini: Faleminderit Elsa Lila që ishe në këtë bisedë në programin “People”. “Mirë se erdhe në Rebibia” është libri i saj në Panairin e Librit.