Federata Europiane e Taekwondos ka marrë masa ndaj Valmir Fetihut, i cili dhunoi vajzën e tij, 8 vjeç, pas humbjes ndaj kundërshtares serbe, Nina Saviq.
Trajneri nga Kosova, Valmir Fetiu, është përjashtuar për gjashtë muaj gjitha aktivitetet ndërkombëtare e vendore.
Në videon e bërë virale, ai shfaqet duke qëlluar disa herë të bijën, Valina Fetiun, gjë e cila ngjalli shumë reagime që dënonin aktin e dhunës.
Vetë Fetiu e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë masën e marrë ndaj tij, dhe e ka konsideruar të drejtë.
“Jam penduar shumë, jam penduar me jetën time, vajza ime është gjëja më e shtrejtë për mua”, ka thënë ai, duke iu referuar sportistes.
Më herët, ai reagoi duke thënë se e mitura ishte vajza e tij dhe askush nuk e do më shumë. Ndër të tjera, Fetiu shtoi se e goditi për shkak se 8-vjeçarja ishte e zemëruar nga humbja ndaj garueses serbe, ndaj qëllimi i tij ishte ta qetësonte.
“Ajo është vajza ime dhe më shumë se unë, nuk e do askush. Në momentin që vajza ishte e çorientuar dhe e zemëruar se humbi nga garuesja serbe, u shtri në tokë duke mos mundur të pranonte humbjen. Unë thjesht doja ta qetësoja dhe t’ia bëja me dije se përkundër humbjes, është nënkampione dhe do të ketë raste tjera”, tha Fetiu.