Analisti Lorenc Vangjeli bëri një deklaratë të rëndë pak ditë më parë.
Teksa në studio diskutohej lidhur me spitalin e Onkologjikut dhe pacientët që luftojnë me kancerin, Vangjeli i ka përshkruar këta persona si “të dënuar nga Perëndia me vdekje”.
Më tej, ai shtoi se, pavarësisht vendit ku trajtohen, qoftë në Shqipëri apo jashtë vendit, “fundi i tyre është i dhimbshëm”.
Deklaratës së Vangjelit, i ka reaguar edhe aktori i njohur Jul Deda.
Ai ka postuar një video në rrjetet sociale ku ndër të tjera thotë:
“I dashur Lenc, më vjen shumë keq që dëgjoj këto fjalë nga goja jote. E di që je një person i lexuar dhe i mençur, dikush që kupton dy gjëra. Nuk e kisha menduar kurrë se do flisje në këtë mënyrë për ata njerëz që janë të sëmurë nga “sëmundja e shekullit”. Lenc, kanceri është një sëmundje e tmerrshme që e kam përjetuar në familjen time me babain tim. Nuk do t’ia uroja askujt. Është aq e rëndë, aq shkatërruese, sa të shkatërron kur shikon të dashurin tënd që po degradon çdo ditë, ndërsa ti s’mund të bësh asgjë. Kjo është një nga dramat më të mëdha që një njeri mund të përjetojë.
Prandaj, të quash këta persona të sëmurë si të dënuar nga Perëndia për vdekje nuk është e drejtë, Lenc. Ata janë të sprovuar për të treguar sa luftëtarë të vërtetë janë. Nuk janë si ti, që nuk ke pasur nevojë ta tregosh këtë, sepse ke qenë i mbrojtur nga qeveria”.