Katër ditë pas atentatit në Dobraç të Shkodrës, ka humbur jetën edhe kalimtari Bashkim Basha.
67-vjeçari ishte në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës, por nuk u mbijetoi dot plagëve të marra, ndërkohë që më 30 tetor humbi jetën edhe bashkëshortja e tij Flutura Basha.
Dy viktimat e pafajshme të këtij atentati kriminal, po udhëtonin me motot në momentin kur u qëllua me breshëri kallashi në drejtim të makinës së Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Më pas mjeti i tyre u përplas me motorin e çiftit Basha.
Me vdekjen e 67-vjeçarit ka shkuar në 4 numri i viktimave nga atentati në Dobraç të Shkodrës më 30 tetor.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.