Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-21, ka ndarë një mesazh prekës për humbjen tragjike të prindërve të tij, Ali dhe Bukurije Bushi, të cilët humbën jetën në një aksident automobilistik në Greqi.
Në një postim në rrjetet sociale, Bushi shprehu dhimbjen e thellë për mënyrën tronditëse të ndarjes nga jeta të prindërve të tij, duke e përshkruar përballjen me humbjen si një përvojë që kërkon forcë të pamasë për t’u përballuar.
Në mesazhin e tij, Bushi thekson se dhimbja nga një humbje për shkaqe natyrale është e thellë, por përjetimi i një vdekjeje të shkaktuar nga një aksident e bën të pamundur përballimin.
“Mënyra për ta pranuar një humbje është e lidhur me mënyrën sesi ka ardhur. Një vdekje e ardhur nga shkaqe natyrale është e dhimbshme, por është ulëritëse kur vjen për shkak të një aksidenti. Nuk di sa forcë duhet për të përballuar veten që rri para jush, si dëshmitar i pafuqisë ekstreme për të ndryshuar atë ç’ka ndodhur. Madje dhe kur fatmirësisht vjen një kujtim i mirë, s’ke fuqi as për britmë lumturie, por zëvendëson një palë lot me të tjerë. Sot dhimbshëm mora orat që kane punuar në pulsat e zemrave tuaja, aq me formë dhe vlerë në orë të pafundme pa formë që kur ai aksident me një përplasje ju hoqi fillin e jetës. Deri në përqafimet tona të ardhshme, ju dua pafundësisht, përjetësisht dhe përtej.“