Prindërit e trajnerit të Kombëtares Shpresa, Alban Bushi, kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Greqi.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Egnatia”, në aksin Veria-Selanik, afër zonës Kouloura Imathias. Aksidenti ka përfshirë një automjet me targa shqiptare, të drejtuar nga 75-vjeçari Ali Bushi, dhe një fugon grek të drejtuar nga Marios Simitliotis, 47 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, 75-vjeçari Ali Bushi dhe pasagjerja, 71-vjeçarja Bukurije Bushi, humbën jetën. Ndërkohë, drejtuesi grek ka mbetur i plagosur lehtë dhe është arrestuar nga autoritetet greke.
Ky është një lajm i rëndë për Alban Bushin, i cili ka qenë ish-sulmues i Kombëtares Shqiptare, ku ka shënuar 14 gola, dhe që prej vitit 2016 mban rolin e trajnerit të Kombëtares U-21.
Bushi ka drejtuar ekipin e Shpresave në 58 ndeshje deri tani, duke u angazhuar me përkushtim në këtë detyrë.