Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës ka vendosur sot masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Mariela Berishën dhe “Detyrim paraqitjeje” për motrën e saj Antonela Berisha, lidhur me dhunimin ndaj Klea Prengës.
Në dëshminë e saj para togave të zeza, Antonela u shpreh se gjithçka ka ardhur si pasojë e provokimeve nga ana e Prengës.
“Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk ka qenë aspak qëllim i yni që të ndodhte një ngjarje dhe aq më tepër një pasojë e tillë. Kemi shkuar në restorant, të dyja me motrën për të darkuar. Në një moment ajo është ngritur rrëmbyeshëm nga tavolina, e provokuar nga sjellja e viktimës. Në gjaknxehtësi e sipër, aty në moment, ka rrëmbyer një gotë dhe e ka qëlluar viktimën. Kam ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën time. Ka një vit që nuk ndihet aspak mirë. E provokuar në mënyra të ndryshme. Më vjen shumë keq dhe nuk e shikoj dot motrën time në këtë gjendje. Kërkoj ndjesë, dhe jam e gatshme të bëj gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për ta ndihmuar viktimën të rehabilitohet fizikisht, për sa na takon. Kërkoj ndjesë publike përpara Gjykatës”, shprehet ajo.