Dy persona në qytetin Gjirokastrës janë vendosur në pranga pasi akuzohen se morën peng një 53-vjeçar dhe e kanosën për t’i marrë një shumë parash.
Njoftimin për ngjarjen e ka bërë policia e qytetit jugor, duke sqaruar se Edi Tafili dhe Lavdije Çaushi, e kanë mbajtur 53-vjeçarin në një banesë të marrë me qira.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas njoftimit se 2 shtetas i kishin hequr lirinë, një 53-vjeçari, duke e mbajtur kundër vullnetit të tij si dhe e kishin kanosur me qëllim dhënien e një shume parash, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe vënien e autorëve të dyshuar përpara përgjegjësisë ligjore”, informoi sot policia.
Pas hetimeve intensive blutë e Gjirokastrës arrestuan një 45 vjeçare dhe një 38 vjeçar:
L. Ç., 45 vjeçe, banuese në Gjirokastër dhe E. T., 38 vjeç, banues në Krahës, Memaliaj për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, për motive të dobëta, kanë mbajtur në banesën e marrë me qira nga 45-vjeçarja, shtetasin P. S., 53 vjeç, duke i hequr lirinë atij, si dhe e kanë kanosur për dhënie pasurie.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.