Ilir Shaqiri po përgatitet për nisjen e talent-show-t të ri, “Yjet Shqiptarë të Diasporës”, një projekt për të cilin ka treguar shumë entuziazëm gjatë një interviste për “Canape” në T7.
Koreografi, i njohur për përfshirjen e tij në projekte të mëdha, foli me pasion për këtë iniciativë që synon të shfaqë talentet e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Gjatë intervistës, ai preku edhe pjesëmarrjen e tij në “Big Brother VIP”. Shaqiri tha se vendimi për të marrë pjesë në edicionin e parë ishte i menjëhershëm, ndërsa për edicionet e mëvonshme do të ishte menduar më gjatë.
Kur u pyet për zgjedhjen mes dy moderatorëve të njohur, Arbana Osmani dhe Ledion Liço, ai theksoi se secili ka një stil të veçantë dhe ka shkëlqyer në moderimin e këtij formati.
Iliri sugjeroi se një ditë mund të shohim një bashkë-moderim mes të dyve, ndoshta për një edicion të ardhshëm të “Big Brother All Stars”.
“Janë dy stile moderimi komplet ndryshe njëra nga tjetra, unë nuk dua t’i bëj qejfin as njërit, as tjetrit sepse i njoh që të dy dhe mendoj që secili nga të dy kur ka qenë tek ajo skenë që është shumë e vështirë për të ndenjur dhe për të pasur gjithë kohën atë lloj trysnie mediatike dhe publike, mendoj se secili nga ata të dy e ka prezantuar veten në kulmin e tij dhe pse jo, ta prezantojnë të dy njëherë. Do të ishte diçka abstrakte, pse jo, reale! Imagjino tani një Arbana-Ledion të prezantojnë ‘All Stars Big Brother Albania’. Do të vijë një ditë që ndoshta do të na mbledhin.”