Matheus Nunes, futbollisti portugez që startoi në fitoren 0-4 të Manchester City kundër Slovan Bratislava në Champions League, u arrestua në klubin e natës La Riviera në Madrid pasi i vodhi telefonin një personi që bëri një foto në banjë.
Gazeta ‘El Mundo’ raporton se incidenti ka ndodhur më datën 8 shtator. Sipas medias spanjolle, “agjentët e çuan futbollistin në komisariatin e Arganzuelas ku u mor një deklaratë për një krim të dyshuar vjedhjeje, siç konfirmohet nga selia e policisë së Madridit. Disa orë më vonë mesfushori u la i lirë në pritje të gjykimit.”
Portugezi, kandidat për ‘Rodrin e ri’ për Manchester Cityn e Pep Guardiolës, është një futbollist për të cilin Manchester City pagoi 62 milionë për Wolverhampton Wanderers në vitin 2023.
“Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë”, tha Guardiola referuar Matheus Nunes.
Lojtari lindi në Rio de Janeiro (Brazil) më 27 gusht 1998 dhe në moshën 12 vjeçare u transferua në Ericeira në Portugali.
“Jam rritur pa baba, kam pasur një fëmijëri shumë të vështirë. Nuk e mendoja se do të isha lojtar… Kur punonja në pastiçeri fillova të marr përgjegjësi sepse ka rregulla për të ndjekur”, ka shpjeguar ai në një intervistë që ka dhënë për ‘Récord’.
Ai filloi të luante futboll për Ericeirense teksa ndihmonte familjen duke punuar në furrën e bukës dhe më vonë nënshkroi për Grupo Desportivo Estoril Praia.
Në janar 2019, 26-vjeçari nënshkroi për Sporting de Portugal dhe në qershor 2022 u transferua te Wolverhampton Wanderers të Premier League.