Klevisa Ymeri, e cila shkaktoi aksidentin fatal në Kroaci, ku humbën jetën motër e vëlla Stjepan dhe Katarina Derek, është dënuar me katër vite burg.
Në gjyqin e fundit, dëshmitari Jonuz Alija, i cili ndodhej në makinën “Mercedes” të Ymerit, dha dëshminë e tij për ngjarjen tragjike.
Sipas Alijës, ata ishin duke udhëtuar nga Milano drejt Shqipërisë, kur Ymeri mori drejtimin e Mercedesit, pasi shoferi kryesor u lodh. Ndërkohë, Klevisa dhe një tjetër pasagjere ishin duke ndjekur makinën e parë me një “BMW”. Alija tregoi se në një moment makina u përplas me një shpejtësi të lartë, duke shkaktuar aksidentin fatal, ku Klevisa humbi ndjenjat nga përplasja.
Në seancë, prokurorja dhe avokati i familjes së viktimave e cilësuan Ymerin përgjegjëse për aksidentin, ndërsa avokati i saj argumentoi se ajo kishte tentuar të shmangte përplasjen. Klevisa vetë pranoi se kishte bërë një përpjekje për të parakaluar, por situata ndodhi shumë shpejt dhe nuk kishte mundësi ta kontrollonte më automjetin.
“Unë dhe shoku im Armalindo Docano u nisëm nga Milano për në Shqipëri me një Mercedes. Me ne ishte Klevisa dhe gruaja e kushërirës së Armalindos, Diana. Këto të dyja po na ndiqnin pas më “BMW”. Klevisa mori drejtimin e mjetit Mercedez për shkak se shoferi u lodh. Po ecnim pas njëri-tjetrit, unë po flisja me familjen në celular, kur në një moment, në mënyrë refleksive ndjeva se makina kaloi shumë shpejt, dhe atëherë ngrita kokën dhe pashë tym. Kur arrita te makina e parë, dhashë ndihmën e parë, por shpejt kuptova se nuk mund të bëhej asgjë më shumë. Klevisa ka dalë nga makina dhe si pasojë e përplasjes ka rënë pa ndjenja,”-tregoi dëshmitari.