Arjola Demiri është një nga aktoret më të dashura për publikun të cilën përveç karrierës, e njohim edhe si një nënë të përkushtuar.
Ajo ka tre fëmijë, përkatësisht të moshave 17, 16 dhe 12 vjeç me të cilët ka një marrëdhënie shumë të ngushtë.
E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Arjola e përshkruan periudhën e adoleshencës që ajo po kalon tani me ta si një ndër më të vështirat.
Lidhur me temën e lejes së lindjes, Arjola shprehet se është bërë nënë kur ishte ende studente dhe pavarësisht se tani mendon që ka bërë zgjedhjen më të mirë duke qëndruar me fëmijët, asokohe dëshironte që paralelisht edhe të punonte.
“Unë kam qenë studente, kam qenë në vitin e katërt kur kam ngelur shtatzënë me Helgën, në universitet. Rubini ka ardhur direkt shumë afër, mbrapa…”, thotë Arjola.
E pyetur nga moderatorja Rudina Magjistari nëse ka qenë e punësuar gjatë asaj periudhe Arjola i përgjigjet:
“Nuk kam qenë në marrëdhënie pune, por di të të them që e kam vuajtur shumë këtë pjesën që nuk isha në marrëdhënie pune, doja t’i bëja të dyja paralelisht. Unë po të them siç e mendoja në atë kohë, e vuajta shumë këtë periudhën që shoqet e mia ishin në punë, sapo kishin startuar të dilnin në skenë, e vuajta shumë. Më pas, nëse analizoj, them që karriera dhe fëmijët, ndoshta, unë për faktin që e nisa shumë vonë karrierën duke qenë se bëra 10 vjet pauzë dhe them që kam bërë shumë mirë, sepse e kam shijuar, e kam shijuar çdo moment me ta dhe është një periudhë shumë e rëndësishme që duhet t’u rrish afër. Është shumë e rëndësishme që nënat të kalojnë etapën deri në 5 vjeç me fëmijët e tyre. Unë e kam shijuar këtë dhe në këtë periudhë që jam, them që kam bërë shumë mirë që kam bërë zgjedhjen më të mirë.”