Superylli i muzikës rock, Jon Bon Jovi, i njohur për hitet e tij ndërkombëtare dhe fushatat e shumta humanitare, së fundmi është bërë protagonist i një akti heroik që ka prekur zemrat e miliona njerëzve.
Ngjarja ndodhi gjatë xhirimeve të një videoje muzikore në urën e Nashville, kur këngëtari dhe lideri i grupit “Bon Jovi” ndërhyri për të shpëtuar një grua që po tentonte të kryente vetëvrasje.
Sipas burimeve nga gazeta italiane “La Repubblica”, incidenti u kap në një video që ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale. Teksa ekipi i tij po filmonte, ndihmësi i Bon Jovit vuri re një grua të mbajtur me dy duar pas parmakut të hekurt të urës, në buzë të një veprimi ekstrem.
Pa humbur kohë, Jon Bon Jovi iu afrua qetësisht dhe filloi të bisedonte me të, duke e ndihmuar që të qetësohej dhe të rimendonte vendimin e saj.
Gjatë këtij momenti delikat, pjesa tjetër e ekipit qëndroi larg për të shmangur çdo presion të mundshëm psikologjik ndaj gruas.
Me një qetësi të admirueshme, këngëtari arriti ta bindë të kthehej nga vendimi tragjik që po mendonte të merrte. E gjithë ndërhyrja zgjati vetëm disa minuta, me Bon Jovi që në fund e përqafoi gruan dhe e ndihmoi të ngjitej sërish në siguri.
@cnn Nashville police say rock icon Jon Bon Jovi helped persuade a woman to come to safety when he saw her standing on the ledge of a Nashville pedestrian bridge. #cnn #news #bonjovi ♬ original sound – CNN
Ky veprim i Bon Jovit ka marrë një valë reagimesh pozitive në media dhe në rrjetet sociale, ku fansat dhe figura të njohura e kanë lavdëruar për guximin dhe ndjeshmërinë e tij. Ky akt human tregon edhe një herë se Jon Bon Jovi nuk është vetëm një artist i madh, por edhe një njeri me një zemër të madhe.